
Abonentët e kompanisë celulare One Albania janë njoftuar se duke filluar nga data 1 maj 2026 do të ketë një rritje të tarifave për shërbimet celulare.
Sipas mesazhit zyrtar të dërguar klientëve, kjo rritje bazohet në ndryshimin mesatar vjetor të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (ICK), të publikuar nga INSTAT, dhe nuk do të kalojë nivelin 2.2%.
Për shembull, një ofertë që aktualisht kushton 12 mijë lekë do të kushtojë në 12,264 lekë, ndërsa paketat prej 14 mijë dhe 16 mijë lekësh do të rriten respektivisht në 14,308 dhe 16,352 lekë në muaj.
Në përgjithësi, rritja varion nga rreth 300 deri në 400 lekë të vjetra.
Kompania argumenton se kjo përshtatje bëhet në përputhje me kushtet kontraktuale, të cilat janë ndryshuar që në fillim të vitit 2024.
Në atë kohë, si One Albania ashtu edhe Vodafone Albania përfshinë në kontratat me klientët një klauzolë që lejon indeksimin vjetor të çmimeve sipas inflacionit.
Megjithatë, deri tani kjo praktikë është zbatuar vetëm nga One Albania.
Ndërkohë, vendimi ka sjellë reagime nga qytetarët, të cilët prej kohësh kanë shprehur pakënaqësi për cilësinë e shërbimeve, ndërprerjet e internetit dhe telefonisë, mungesën e transparencës në tarifa dhe vonesat në trajtimin e ankesave.
Pavarësisht kritikave, të dhënat zyrtare tregojnë se kompania ka pasur performancë të fortë financiare.
Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto prej 476 milionë lekë, një rritje e ndjeshme krahasuar me 70 milionë lekë një vit më parë.
Në të njëjtën kohë, kompania është nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka nisur procedurat më 13 shkurt 2025.
Hetimi përfshin periudhën 2022–2024 dhe synon të verifikojë nëse praktikat e saj në treg kanë kufizuar konkurrencën.
Mbetet për t’u parë nëse ky zhvillim do të sjellë ndryshime në politikat e çmimeve të operatorëve celularë, apo nëse debatet dhe ankesat e konsumatorëve do të vijojnë edhe në të ardhmen./Versus.al

