Detaje të reja janë zbardhur lidhur me masën e pezullimit nga detyra të kreut të IMT në Tiranë, Rigers Sheqeri për abuzim me lejet e ndërtimit në kryeqytet. Sipas njoftimit të prokurorisë hetimet nisën pas denoncimit të bërë nga A.A, administrator i shoqërisë “AL OIL 2019” sh.p.k i cili pretendoi se në pronën e kompanisë së tij ishin kryer punime që kanë sjellë dëmtimin e saj.
Rezultoi se për punimet në Farkë, shoqëria “Eurocol” sh.p.k e biznesmenit Pandeli Carapuli nuk ishte e pajisur me leje ndërtimi. Punonjësit e IMT-së mbajtën proces verbal për këtë shkelje më 29 dhjetor 2025.

Mirëpo kryeinspektori Rigers Sheqeri vendosi mbylljen e procedurës duke u bazuar në relacionin përgatitur nga juristi E.P. Prokuroria argumenton se ky veprim i Sheqerit bie në kundërshtim me ligjin pasi nuk ka marrë asnjë masë ndaj biznesmenit Carapuli i cili ka ndërtuar një mur betoni 120 metra të gjatë dhe 4 metra të lartë.
Ligji e parashikon që në rastin e gjetjes së një ndërtimi pa leje, inspektorët e terrenit e raportojnë shkeljen dhe kryeinspektori merr vendimin përfundimtar duke vendosur gjobë, pezullimin e punimeve apo shembjen e ndërtimit, veprime që nuk janë kryer nga Sheqeri.
Nga ana tjetër, kompania “Eurocol” sh.p.k ka patur leje për ndërhyrje në infrastrukturë dhe vendsosjen e barrierave ndaj zhurmave, por kjo leje nuk mbulon ndërtimin e objekteve për të cilat duhet të ishte e pajisur me leje ndërtimi.
Ndaj tij kreut të IMT rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim. Ndërsa ndaj biznesmenit të cilit iu ndalua dalja jashtë vendit rëndon vepra penale e ndërtimit të paligjshëm. Versus.al


