
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ditën e sotme janë miratuar ndryshimet që sjellin orare pune fleksibël për punonjësit e administratës.
Ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi ndryshimet pas mbledhjes së Këshillit dhe tha se administrata synon të jetë një punëdhënës më tërheqës, duke lënë kështu në dorën e punonjësve fashën e orarit të punës.
“Kjo është një iniciativë që e kemi në kuadër të rienergjizimit të administratës publike. Kemi injektuar elementë të fleksibiliteteit në punë, mbi të gjitha për të garantuar që Administrata publike të jetë një punëdhënës më tërheqës. Në kuadër të kësaj, për herë të parë parashikohet koncepti i orëve fleksibël të punës, me qëllim optimizmin e procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore, por edhe për të garantuar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private.
Në bazë të këtij vendimi parashikohet shprehimisht që ndërkohë kohëzgjatja e ditore mbetet e plotë, nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës me herët dhe ta përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30, nga e hëna në të enjte dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premtë”, prezantoi ministrja Adea Pirdeni.
Kusht është që të plotësohet orari i plotë, pra 8 orë e 30 minuta nga e hëna deri të enjten dhe 6 orë ditën e premte dhe që punonjësit të jenë në punë çdo ditë në oraret 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.
"Kjo iniciativë vjen edhe si një përgjigje kundrejt kërkesave që janë marrë nga të gjithë punonjësit e admninistratës publike për të garantuar sa më shumë fleksibilitet gjatë orarit të punës", shtoi ministrja.
Ndërkohë pushimet vjetore llogariten të jenë 22 ditë pune, pra 2 ditë më tepër./ Versus.al







