Rexhep Selimi, njëri prej ish-drejtuesve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte, mbajti fjalën e tij përmbyllëse ndaj akuzave dhe pretencës së prokurorëve specialë.
Ai tha se do të ishte i gatshëm të luftonte deri më sot nëse lufta do të kishte vazhduar. Ndërsa tha se dënimet që prokurorët kërkojnë, synojnë t’u ndalojnë rikthimin në atdheun e lirë.
“Edhe nëse lufta nuk do ndalej dhe do vijonte deri në ditën e sotme, ende do të isha ushtar i atdheut tim nëse nuk do të isha vrarë deri më tani. Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin. Prandaj edhe NATO e vendet tuaja na mbështetën.
Prokuroria kërkon dënime aq të gjata sa synojnë të na ndalojnë kthimin përgjithmonë në vendin tonë. Koha se kur do të kthehemi në Kosovë varet nga vendimi juaj, por kurdo që të kthehem do të kthehem në Kosovën e lirë për të cilën jam krenar që i kam dalë Zot dhe për lirinë e të cilës kam qenë dhe jam i gatshëm të jap jetën kurdoherë. Edhe ju do të vepronit njësoj. Jam i bindur se edhe ju do të luftonit për lirinë e vendeve tuaja, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj”- deklaroi Selimi. Versus.al

