
Pas mbi 8 orë protestë para Kuvendit ku goditën me vezë deputetët dhe automjetet e tyre, qytetarët janë rikthyer sërish para Kryeministrisë, në ditën e 54 të rezistencës së tyre.
Ata kanë kërkuar lirimin e 23 të shoqëruarve në polici si dhe denoncuan dhunën e policisë ndaj djemve dhe vajzave që protestuan kundër parlamentit që sot sipas tyre, votoi ligjet kundër qytetarëve e vendit.
"Policia duhet t’ju shërbejë qytetarëve, lironi çunat dhe vajzat që keni arrestuar padrejtësisht. Sapo më njoftuan se policia ka vendosur që disa nga protestuesit t’i ndalojë megjithjëse janë kapur në rrugë dhe nuk kanë bërë asgjë të ndaluar. I bëj thirrje dhe një herë t’i lirojë brenda ditës së sotme.
Sot kemi parë shpërfaqjen e arrogancës dhe sesi policia u përgjig me gaz dhe spraj edhe pse e vetmja armë ishte veza, kjo është e papranueshme dhe joproporcionale. Arroganca është ajo që na ka nxjerrë në shesh. Sot teksa shihja policët që ndiqnin protestuesit mu kujtua policia e 1990 ku i ndiqte protestuesit me qentë e kufirit. I them Edi Ramës se do të ketë fundin e regjimit", tha aktivisti.
Protestuesit kanë thirrur parullat e njohura “Rama jepe dorëheqjen”, “Shqipëria e re” dhe kanë deklaruar se nuk do të lënë sheshin pa u larguar Rama./Versus.al

