
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, situata në zonën e quajtur "Arrat e Gurrës" në aksin Librazhd-Prrenjas u përkeqësua ndjeshëm si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës.
Për shkak të gjendjes së rënduar, pas bllokimit të lëvizjes së automjeteve është ndaluar plotësisht edhe qarkullimi i këmbësorëve, si dhe kalimi i mjeteve të emergjencës, përfshirë zjarrfikëset, policinë dhe ambulancat, në segmentin e dëmtuar.
Mjetet e shërbimeve emergjente do të devijohen përmes rrugës alternative që kalon nga fshatrat Spathar dhe Dardhë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo tentativë për të kaluar në zonën e rrezikut.
Ndërkohë, situata mbetet kritike, pasi rreziku i shembjes së plotë të strukturës ka detyruar autoritetet të izolojnë totalisht zonën, duke e kthyer një nga akset më të rëndësishme të vendit në një pikë kritike.

