AKTUALITET /

AKSHI sërish nën hijet e skandaleve: Emërimi i Igli Tafës dhe lidhjet me Soft&Solution e biznesmenit në arrati

Drejtori i ri i AKSHI-t, Igli Tafa, përfshihet në një tjetër skandal pas emërimit të Saimir Kapllanit në krye të AKSK-së, duke rrezikuar ligjshmërinë dhe transparencën. Lidhjet e tij të mëparshme dhe të reja me biznesmenin e shpallur në kërkim, Ermal Beqiri, dhe kompania Soft&Solution, e cila ka përfituar miliona nga tenderat e AKSHI-t, ngre shqetësime serioze mbi klientelizmin dhe sigurinë e të dhënave të qytetarëve.

Shkruar nga Versus

AKSHI sërish nën hijet e skandaleve: Emërimi i Igli Tafës

Igli Tafa, drejtori i ri i AKSHI-t emëruar vetëm disa ditë më parë, është tashmë në një tjetër qendër skandali, pas rrëmbimit të kompetencave të kryeministrit Rama duke emëruar Saimir Kapllanin në krye të AKSK tërësisht në kundërshtim me ligjin.

Tafa, ish-drejtori i AKSK-së rezulton të ketë qenë disa herë bashkëpunëtor me kompaninë Soft&Solution në zotërim të Ermal Beqirit biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK për akuza të rënda si “Konkurrenca e paligjshme përmes dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i parave”, kompani që ka plaçkitur miliona lekë nga tenderat e AKSHI-t.

Por çka e bën dhe më interesante emërimin e Tafës në krye të AKSHI-t janë lidhjet e vjetra (dhe të reja) me Ermal Beqirin.

Një kërkim i thjeshtë në faqen zyrtare të Soft&Solution, fotoja prezantuese e kompanisë ka në qendër as më pak e as më shumë se vetë drejtorin e ri Igli Tafa.

AKSHI sërish nën hijet e skandaleve: Emërimi i Igli Tafës

Marrëdhëniet e biznesmenit të shpallur në kërkim për disa akuza shumë të rënda dhe Igli Tafës, ish-bashkëpunëtor i Beqirit, duket si një varje mëlçish në qafën e ujkut.

Soft Solution ka dominuar tenderat e AKSHI-t si fituese kronike, ku procedurat prokuruese kishin rol vetëm formal duke i lënë garën të pastër për kompaninë e e tij, e cila ka arkëtuar miliona euro nga buxheti publik.

Hetimet e SPAK ndaj AKSHI-t nxorën në pah pikërisht këtë skemë: tendera të manipuluar ku kompanitë e lidhura qarkullojnë lirshëm mes dyerve shtetërore dhe private, ndërkohë emërimi i Tafës duket më shumë si rotacion brenda të njëjtit sistem klientelist sesa pastrim i institucionit.

AKSHI nuk është thjesht një institucion që menaxhon platforma online. Ai ka akses në të dhëna masive për qytetarët shqiptarë, duke përfshirë llogaritë “e-Albania”, informacionet fiskale, dokumentet personale, komunikime, e madje edhe sistemet e integrimit me kompani private.

Pikërisht për këtë arsye, çdo emërim në këtë agjenci është shumë më tepër sesa një vendim administrativ  është një çështje e sigurisë kombëtare./Versus.al

Poll