
Arben Lamçe ishte njëri prej emrave të përmendur si pronarë të pasurive të sekuestruara nga SPAK pasi dyshohet se ishin prona të klanit Çopja, të siguruara me anë të veprimtarive kriminale.
Sot SPAK njoftoi sekuestrimin e 10 mln dollarëve kriptovaluta të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, por në listën e pasurive të paluajtshme dilte emri i Arben Lamçes si pronar i disa prej pronave të tyre. Prokuroria e Posaçme e akuzon vrasësin me pagesë se pastronte paratë e klanit Çopja duke regjistruar pronat e tyre në emrin e tij për të zhdukur gjurmët.
Lamçja është një prej të arrestuarve në kuadër të operacionit “Plumbi i artë 2” dhe në gusht u ekstradua nga Kosova nën akuzën se kishte planifikuar vrasjen e Nuredin Dumanit për llogari të Franc Çopjas.
Ky i fundit kishte ofruar 250 mijë euro vetëm për kapjen e Dumanit dhe 500 mijë të tjera për eleminimin fizik të tij. Atentati nuk arriti të realizohej nga ana e Lamçes i cili aktualisht mbahet i arrestuar nën masën e sigurisë “arrest me burg” pasi akuzohet edhe për masakrën e Bradasheshit me tre të vrarë në 2018-ën. Versus.al







