
Izmir Sakica dhe Samuel Troshani janë shpallur zyrtarisht nën akuzë si autorët e tentativës për atentat të ndodhur në gusht të vitit 2023 në Bushat të Vaut të Dejës.
Ndërkaq, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi janë ende të shpallur në kërkim.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar informacionin zyrtar pas një operacioni të zhvilluar nga forcat RENEA në Shkodër.
Ky aksion është realizuar në kuadër të hetimeve mbi përplasjen me armë që ndodhi në Rranxë të Bushatit, ku u qëllua me armë automjeti i blinduar “Audi A8”.
Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se më 23 gusht 2023, rreth orës 17:00, Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar, udhëtuan me mjete të blinduara drejt Bushatit.
Nga hetimet, SPAK ka arritur në përfundimin se këta persona kishin si qëllim ekzekutimin e Aleksandër Prendit dhe të afërmve të tij në zonë, përfshirë vëllain e tij, Andrea Prendi. Mirëpo, sapo mbërritën në Bushat, ata janë vënë në shënjestër të Aleksandër Prendit, i cili ka hapur zjarr i pari në mbrojtje.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal me nr.220 të vitit 2024, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Më datë, 16.02.2025, përmes vendimit nr.11, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 11, të datës 16.02.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., të dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje“, kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake“, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80- 28/4, 278/1, 333/a dhe 334/1, të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim A.P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje“, e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake“, parashikuar nga nenet 76-22 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim I.S., S.T. dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A.P. dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.
Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim A.P. Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.
Më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim I.S. dhe S.T. dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim F.L. dhe A.P.
Gjithashtu, në po të njëjtën datë, në zbatim të vendimit nr. 123, të datës 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e kontrolleve dhe ekzekutimin e masave të sigurisë./Versus.al







