AKTUALITET /

Pjesë e një grupi që operonin në Francë, SPAK dërgon për gjykim 3 kokat e krimit (EMRAT)

Hetimet kanë zbuluar se ky grup ishte aktiv në periudhën gusht-dhjetor 2022, në territorin francez, me fokus në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Francës.

Shkruar nga Versus

Pjesë e një grupi që operonin në Francë, SPAK

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim procedimin penal  tre të pandehur që akuzohen për trafikim lëndësh narkotike dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Të pandehurit e identifikuar si Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, dhe Fabi Isaku, akuzohen për veprime të paligjshme që përfshijnë trafikimin e drogës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, të gjitha në kontekstin e një grupi kriminal të strukturuar.

Hetimet kanë zbuluar se ky grup ishte aktiv në periudhën gusht-dhjetor 2022, në territorin francez, me fokus në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Francës.

Autoritetet franceze filluan hetimin në qarkun e Albertville, lidhur me veprimtarinë e grupit, i cili furnizonte tregtarët e drogës në qarqe të ndryshme. Hetimet e përbashkëta kanë rezultuar në identifikimin e 19 personave të tjerë të përfshirë dhe kanë arritur deri në shpalljen në gjykim të tre liderëve të grupit të akuzuar.

Ky rasti shënon një zhvillim të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, duke treguar angazhimin e institucioneve shqiptare dhe atyre franceze për të trajtuar këtë problem serioz në nivel ndërkombëtar. Procedimi do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore (SPH) me autoritetet franceze të drejtësisë përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal me Nr. 38 të vitit 2023, në ngarkim të 3 të pandehurve:

Redian (alias Refik) Doda – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 5 episode (të datave 22.01.2023, 17.02.2023, 08.03.2023, 13.03.2023 si dhe 18.06.2024), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

ii. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1 gërmat “a”, “b”, dhe 28/4 në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

iii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Zabit (alias Artur) Fisniku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal më shumë se një herë në 3 episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Fabi Isaku – i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë në 3 (tre) episode (më konkretisht të datave 22.01.2023, 17.02.2023 si dhe 13.03.2023), parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, së bashku me autoritetet franceze të drejtësisë janë administruar prova mbi bazën e të cilave ka rezultuar se gjatë periudhës gusht-dhjetor të vitit 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim në qarkun e Albertville (73), lidhur me veprimet e një grupi të organizuar kriminal, i cili është marrë me trafikun e drogës.

Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes që ndodheshin në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit. 

Hetimet bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).

Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve.

Bazuar në hetimet e kryera janë identifikuar si drejtues të pandehurit Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, ndërsa i pandehuri Fabi Isaku, dhe bashkëpunëtorët e tjerë të proceduar dhe gjykuar në Francë kanë patur rolin e ndihmësve./Versus.al

Poll