Një incident i dhunshëm ka ndodhur sot në shkollën e mesme të Cakranit në Fier, si pasojë e një postimi në rrjetin social Snapchat.
Një 17-vjeçar, B.D., ka sulmuar me thikë bashkëmoshatarin e tij, Y.Xh., duke e goditur në krah. Ky i fundit është dërguar në spitalin rajonal të Fierit, ku sipas burimeve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve nga drejtoria e policisë së Fierit, B.D. ka deklaruar se konflikti ka nisur sapo ata kanë hyrë në oborrin e shkollës, pas një debati në lidhje me postimin e bërë në Snapchat një natë më parë.
Në vazhdim, B.D. është shoqëruar nga policia për të marrë një deklaratë më të thelluar në lidhje me ngjarjen, ndërsa thika me të cilën ai goditi adoleshentin e tjetër është sekuestruar si prova në hetim.
Ndërsa sipas mjeut gjendja e 17 vjeçarit të plagosur paraqitet stabile, jashtë rrezikut për jetën.
Mjeku: Kur ndodhi ngjarja nuk isha prezent. Më morën në telefon mësuesit, më thanë ka ndodhur një ngjarje. Sa ngritëm grupin për të shkuar në vendngjarje, personin e sollën këtu mësuesit dhe nxënësit, shokët e vetë. Ishte me pak hemorragji në krahun e majtë, dukej që ishte goditur me mjete prerëse.
Gjendja e pacientit ishte shumë e mirë, e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Është një aksident, një grindje mes shokëve. Iu dha ndihma e parë këtu më pas u nis për mjekim të specializuar në Spitalin Rajonal të Fierit.
Kishte 4 goditje, dy të vogla dhe dy më të mëdha, por në vlerësimin tim m’u duk jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 08:30, në fshatin Cakran, Fier, në ambjentet e shkollës së mesme Cakran, gjatë një konflikti të çastit mes dy nxënësve, njëri prej tyre shtetasi, B. D.,17 vjeç, ka goditur me mjet prerës në krah bashkëmoshatarin shtetasin Y. Xh, të (dy nxënës të kësaj shkolle). Shtetasi Y. Xh., u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën/Versus.al








