
Protesta e organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë është shoqëruar me tensione, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Shkaqet e përshkallëzimit të situatës ende nuk janë bërë të ditura, por një numër i madh efektivësh kanë ndërhyrë duke shtyrë fizikisht protestuesit, në përpjekje për t’i larguar nga zona.
Ndërkohë, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se gjatë protestës persona të veshur civilë kanë fotografuar pjesëmarrësit, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tyre më pas.
Më heret kreu “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, mbajti sot një fjalim para Kryeministrisë gjatë protestës kundër qeverisë, ku theksoi se kjo shënon ditën e 28-të të qëndresës qytetare kundër korrupsionit dhe vjedhjes.
Lapaj u shpreh se edhe qëndrimi i vetëm një qytetari përballë padrejtësisë përbën një rrugë të drejtë, ndërsa akuzoi qeverinë për dështim në realizimin e premtimeve kryesore me të cilat erdhi në pushtet.
“Sot jemi në ditën e 28-të të qëndresës qytetare kundër hajdutërisë. Sot bota është më e lirë, sepse një diktator përtej oqeanit ka rënë, ndërsa ne kemi përballë një autokrat. Kjo është një përballje me hajdutët dhe edhe nëse qëndron vetëm një njeri, ajo është një rrugë e drejtë. Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të sjellë ujë, për të vendosur rend dhe ligj. A kemi sot rend dhe ligj? Jemi përballë atij që premtoi luftë kundër krimit dhe drogës. A kemi sot krim dhe drogë? Erdhi në pushtet për të luftuar korrupsionin. A jemi sot vendi më i korruptuar apo jo? Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Evropë”, - deklaroi Lapaj.

