AKTUALITET /

Veliaj pretendoi se furgoni mbërriti vonë për ta çuar në GJKKO, drejtoria e Burgjeve: E pavërtetë!

Sipas institucionit të burgjeve, Veliaj refuzoi të dilte nga qelia kur furgoni mbërriti në paraburgimin e Durrësit.

Shkruar nga Versus

Veliaj pretendoi se furgoni mbërriti vonë për ta çuar

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar ndaj pretendimit të stafit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj sa i takon mungesës së këtij të fundit në seancën paraprake në GJKKO. Veliaj pretendoi se furgoni i drejtorisë së burgjeve kishte mbërritur me vonesë, ndërsa institucioni sqaron se furgoni ishte në burgun e Durrësit sipas orarit të parashikuar.

Më tej thuhet se ka qenë vetë Veliaj ai i cili ka refuzuar të dalë nga qelia duke pretenduar se furgoni ishte vonuar.

Reagimi i plotë:

Në lidhje me reagimin e bërë në media nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor. Versus.al

Poll