AKTUALITET /

“S’e dija se do vriste dikë, mendoja se do e trembnim”, njëri prej të arrestuarve pranon vendosjen e tritolit në Shkodër

Të arrestuarit e tjerë kanë mohuar pretendimet e Gert Bushatit.

Shkruar nga Versus
“S’e dija se do vriste dikë, mendoja se do e trembnim”,
Viktima, Hysni Ymeri dhe pamje nga vendngjarja

Katër të arrestuarit për vrasjen e Hysni Ymerit pas shpërthimit me tritol më 29 dhjetor, janë lënë në burg nga gjykata e Shkodrës. Njëri prej të arrestuarve, Gert Bushati ka pranuar se ka qenë ai që ka vendosur sasinë e tritolit më datë 27 dhjetor në panelin e matësve elektrikë.

Në deklaratën e tij, Bushati ka thënë se tre të arrestuarit e tjerë Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë e tritolit.

Këta të fundit e mohuan të jenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe e kanë mohuar që të kenë porositur Bushatin për vendosjen e tritolit.

Policia ka sekuestruar telefona dhe ka përgjime si dhe një sërë provash të tjera që mund të implikojnë edhe këta tre persona. Personi që vendosi tritolin, Gert Bushati ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person. Ai pretendoi se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë.

“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”- mësohet të ketë thënë Bushati i cili shtoi se nuk i kishin treguar arsyen përse po e vendosnin lëndën plasëse.

Tritoli shpërtheu dy ditë pasi u vendos duke i marrë jetën 67 vjeçari Hysni Ymeri. Versus.al

Poll