
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqërisë Civile me të cilët ka folur lidhur me veprimet e marra për luftën kundër korrupsionit. Dumani tha se po ushtrohen ndjekje penale ndaj shumë gjyqtarëve në nivele të ndryshme të gjykatave.
“Duke marrë shkak si indicie vendimet e vettingut. Janë çështje në hetim. Jemi të kujdesshëm që persona të caktuar në SPAK bëjnë një filtrim të vendimeve të organeve të vettingut. Në rast se nga vetë përmbajtja e vendimit, krijohen indicie për vepër korrupsioni, ne kemi regjistruar procedim për veprën penale. për veprën penale 257, a, nuk lejohet përgjimi. Në rastet e korrupsioni kemi përdorur të gjithë llojet e përgjimeve apo llojet e tjera të kërkimit të provës. Për 257 a, nuk na lejohet si mjet përgjimi”- u shpreh Dumani.
Ai shtoi më tej se ka pasur raste që janë regjistruar procedime penale edhe për prokurorë apo gjyqtarë të shkarkuar nga Vettingu dhe po vijojnë hetimet ndaj tyre ndërsa tha se shqetësimi më i madh janë ata që janë ende në detyrë.
"Ne nuk kemi qenë të verbër nga organet e vetingut, kemi regjistruar me iniciative hetime kryesisht për veprën penale te korrupsionit. Janë çështje që i kemi në hetim dhe jemi të kujdesshëm duke bërë filtrime të vendimeve të vetingut. Sot që flasim SPAK ka marrë nën ndjekje penale, gjyqtare të gjykatës kushtetuese, gjykatës se lartë, anëtarë të KPA, prokurorë të përgjithshëm. Kemi një numër të madh subjektesh dhe do të vazhdojmë ta bëjmë sa herë do kemi indicie apo të dhëna. Shqetësimi më i madh nuk janë të shkarkuarit, por ata që janë konfirmuar në detyrë dhe ky është fokusi ynë. Sepse ata janë në sistem dhe mund të kryejnë akte korruptive”, shtoi kreu i SPAK.
Ndjekje penale janë ushtruar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetueses, Apelit por edhe oficerëve të policisë gjyqësore. Versus.al







