
Pesëmbëdhjetë protestuesit e arrestuar pas protestës së dhunshme të Partisë Demokratike më 22 mars kanë dalë nga qelia.
Protestuesit, të cilët akuzoheshin për kundërshtim dhe dhunë ndaj punonjësve të policisë, përfshirë përdorimin e molotovëve, u paraqitën sot para Gjykatës së Tiranës, ku gjyqtarja Armela Hasantari caktoi masën e detyrimit për paraqitje.
Për protestën është vënë në hetim edhe organizatori Klevis Balliu, i akuzuar për nxitje të të miturve në krim.
Në hetim janë gjithashtu 5 të mitur dhe 3 protestues të tjerë që morën pjesë në akte dhune.
Gjatë protestës, protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarre ndaj godinës së qeverisë dhe më pas marshuan drejt bllokut të ministreve, duke sulmuar edhe godinën e ish-ministrisë së Energjisë.
Kordonët e policisë parandaluan sulmet ndaj selisë së Partisë Socialiste, por lëndët plasëse goditën dy makina policie pranë Bankës së Shqipërisë.
Protestuesit vijuan marshimin deri pranë RTSH-së, ku pati përplasje të dhunshme me policinë, e cila përdori ujë dhe gaz lotsjellës për t’i ndaluar.
Një numër i madh i forcave të policisë ndaluan sulmet pranë parlamentit, duke devijuar marshimin drejt xhamisë së Namazgjasë. Gjatë tubimit, 6 punonjës policie u lënduan.
Emrat e protestuesve të liruar:
Oriol Kodra, Mentor Jakimi, Suzana Dimushi, Ervis Hysenlika, Adriano Mekshi, Artur Koxha, Ardian Koxha, Klement Truni, Femi Dafku, Hajdin Dafku, Xhevdet Tahiraj, Xhetan Koka, Eldi Taga, Ildo Xhido, Ledjo Gogolli./Versus.al

