
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçë, ku një adoleshente ka rrezikuar jetën duke kërcënuar se do të hidhej nga dritarja e banesës ku jetonte.
Sipas burimeve për mediat, kjo është hera e dytë që e mitura përfshihet në një situatë të tillë, pasi rreth tre muaj më parë kishte ndërmarrë një veprim të ngjashëm, duke tentuar të hidhej nga kati i tretë i ballkonit. Edhe këtë herë, fatmirësisht, ajo është ndaluar në kohë nga nëna e saj, me të cilën dyshohet se kishte pasur një debat, një situatë që mësohet të jetë përsëritur edhe më parë.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se adoleshentja është ndjerë e rënduar emocionalisht dhe e turpëruar për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes nënës së saj dhe personave të tjerë në lagje. Kjo gjendje duket se ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënies mes tyre dhe në gjendjen psikologjike të vajzës.
Mësohet gjithashtu se familja jeton në kushte të vështira ekonomike, ndërsa babai ndodhet në burg.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancës, të cilat kanë bërë transportimin e adoleshentes në Spitali Rajonal i Korçës, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve./Versus.al

