Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e të hënës pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani dhe u plagos shoku i tij, Luis Meçe. Si autor i ngjarjes deri më tani rezulton Mario Përlleshaj, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest me burg”, por ndodhet në spital, pasi u plagos edhe vetë nga përleshja.
Por, ditën e djeshme në një emision televiziv Fiqiri Meçe, babai i Luisit, hodhi akuza drejt Policisë për mosvënien para përgjegjësisë të të gjithë autorëve, pasi ai pretendon se kanë qenë dy autorë të krimit. Të njëjtën gjë pretendoi ditën e sotme edhe djali i tij i plagosur.
Ndërkohë, sipas procesverbalit të siguruar dhe publikuar nga “Review” në Euronews Albania kanë qenë të pranishëm pesë persona 14-vjeç, teksa aty përmendet edhe emri që përmendi Fiqiri Meçe si autor të dytë të ngjarjes.
Marsel Sina, Luis Meçe dhe Martin Cani , janë përleshur në afërsi të shkollës “Fan Noli” me Mario Lleshin dhe Klodion Begajn, sipas konstatimit të oficerit të policisë gjyqësore. Këta emra janë përmendur edhe nga babai i Luisit, i të plagosurit që ishte shok me Martinin.
14-vjeçari Luis Meçe gjatë intervistës tha se është goditur me dy thika të ndryshme dhe kërkoi që t’i bëhej eskpertiza mjeko-ligjore.







