Qindra pensionistë sot kanë zhvilluar protestë për të katërtën javë para godinës së kryeministrisë duke kërkuar caktimin e minimumit jetik dhe rritjen e pensioneve të tyre mujore me arsyetimin se me atë aktualin, e kanë të pamundur të jetojnë në mënyrë dinjitoze.
Të mbështetur nga Lëvizja Bashkë, pensionistët shprehen se pensioni që marrin nuk u del as për ilaçe dhe as për ushqimet e shportës.
“Punë një jetë, pensioni në dietë”, “hiqni dorë nga korrupsioni, të na rritet pensioni”- kanë qenë disa prej pankartave që mbanin në duar pensionistët.
“Me 200 mijë lekë çfarë do bëjmë. Pensionistët janë të parët në votime dhe të parët në detyrime. Ku është Kontrolli i Shtetit, ku janë sindikatat që nuk ndjehen fare. Shtresa e tretë ka vuajtur në kohën e Enverit dhe të Hitlerit. Na iku Enveri, erdhi Hitleri. Ku jeni o shqiptarë, fëmijët tanë të vijnë të votojnë për ta hedhur këtë”, tha një e moshuar.
Një tjetër protestues i cili kërkoi rritjen e pensionit, tha se janë në ditët e tyre më të vështira sa i takon gjendjes ekonomike.
“Pensioni social 500 euro. Ky na do vetëm votën. Vërtetë na ka gjunjëzuar nga ana ekonomike, na ka bërë me oksigjen, por ama ditën e votimit ta çojmë këtë në oksigjen, t’ia heqim tubat këtij. Më keq se sot nuk do bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votën”, u shpreh pensionisti.
Prej javësh, kryeministri Edi Rama ka nisur një tur takimesh me pensionistët në rrethe të ndryshme të vendit të cilëve u ka shpjeguar se rritja e pensioneve është ende e pamundur në rastin kur shumë prej bizneseve nuk deklarojnë pagat e vërteta. Versus.al








