Nënkryetari i Gjykatës së Posaçme Erjon Bani ka marrë pjesë në tryezën e organizuar sot për drejtësinë ku ishte i pranishëm dhe kreu i SPAK, Altin Dumani dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Teksa dha disa statistika, Bani tha se GJKKO ka përfunduar 99% të çështjeve pavarësisht se po punon me gjysmat e kapaciteteve, duke nënvizuar faktin se gjyqtarët punojnë 7 ditë të javës dhe jashtë orarit për të përfunduar të gjitha detyrat.
“Ndihem shumë i nderuar nga raporti, ku janë vlerësuar të gjitha arritjet e GJKKO. Drejtësia nuk është gjë tjetër veçse në shërbim. GJJKO është për ta bërë më mirë shërbimin dhe ta rrisë. Nga 2020-2024 kemi mbi 400 vendime që janë shtuar çdo vit. Në 2020 ishin mbi 2000 vendime, teksa në 2024 kemi mbi 3585 vendime. Kur kemi pasur edhe mungesa gjyqtarësh. Kemi dhënë 3585 vendime gjatë vitit 2024, me gjysmë kapacitetesh. 99% e çështjeve janë përfunduar. Ndryshe nga të gjitha gjykatat e tjera, nuk krahasohet volumi dhe cilësia. Punojmë 7 ditë në javë dhe mbi orarin zyrtar. Produktiviteti i Gjykatës, pothuajse me gjysmë kapaciteti, është mbi 99%. Pothuajse sa çështje janë regjistruar, po aq janë procesuar brenda vitit kalendarik. Pra duke diskutuar edhe cilësinë që nuk krahasohet, edhe pse në këto kushte e rrethana. Pra gjyqtarët duhet të punojnë jo 5 ditë, por edhe 7 ditë, edhe jashtë orarit zyrtar”, tha Bani.
Ndërsa parashtroi edhe disa shifra për transparencën e GJKKO duke deklaruar se vetëm faqja online e institucionit është klikuar 1 milionë herë brenda një viti për të parë njoftimet e publikuara.
“Për transparencën, mbështetur edhe në raportin ndërkombëtar, tani GJKKO publikon pothuajse 100% të vendimeve të shkallës së parë, të themelit, përjashtuar seancat paraprake dhe masës që bëhen me dyer të mbyllura. Tani na rezulton se faqja e GJKKO-së është klikuar 1 mln herë në vit, ose 80 mijë herë në muaj. Pasqyrohet edhe në rrjete sociale dhe faqen zyrtare. Falenderojmë edhe partnerët tanë që na kanë ndihmuar me mbështetjen e tyre, tryezat, trajnimet dhe çdo gjë tjetër”, u shpreh nënkryetari i GJKKO-së.
Emri i Erjon Banit është lakuar shumë së fundmi për shkak se ai ishte gjyqtari që firmosi kërkesën e SPAK për masën “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe më pas edhe e konfirmoi këtë masë në seancë gjyqësore. Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama duke mos e përmendur me emër tha se brenda GJKKO janë dy gjyqtarë që mbështesin PD-në dhe janë betuar të sulmojnë zyrtarët e PS. Versus.al







