Gazeta The Telegraph në një artikull të ditës së sotme, shkruante se 90 mijë personat që kanë bërë kërkesë azil do të mund ta marrin atë.
Mes këtyre 90 mijë personave që ndodhen në Britani, janë edhe shumë shqiptarë të cilët kërkojnë të qëndrojnë dhe jetojnë, atje, pasi kanë shkuar në mënyrë ilegale dhe më pas do kanë kërkuar azil.
Por a do të përfitojnë shqiptarët nga rregullat e reja të qeverisë laburiste, që janë ndryshe nga ato të qeverisë Rishi Sunak.
Për të sqaruar më shumë në lidhje me këtë lajm Versus.al ka biseduar me avokatin shqiptar që jeton e punon në Londër, Naim Hasani. Gjatë bisedës, avokati Hasani ka shpjeguar se gjëja më pozitive që ka ndodhur me qeverinë e re britanike, është fakti se, ata nuk i shohin shqiptarët si armiq dhe si kriminelë, siç ndodhte në qeverisjen e Rishi Sunak, që armikun e qeverisë së tyre e gjetën tek shqiptarët.
“Gazeta The Telegraph, ka aluduar për rreth 90 mijë emigrantë të paligjshëm që presin që nga qershori i 2022 dhe nga këta parashikohet rreth 22 mijë shqiptarë që nuk i kanë kërkesat e tyre për azil të përfunduara apo shqyrtuara deri më tani.
Qeveria laburiste do të veprojë në kontrast total me qeverinë konservatore e cila sidomos që nga qershori i 2022, ish-ministrja e brendshme dhe ajo e emigracioni nuk kanë pushuar me akuza ndaj shqiptarëve. Në atë kohë ndoqën një politikë denigruese ndaj shqiptarëve, duke i cilësuar ata si kriminelë dhe pushtues, apo epitete të tjera me të cilët shqiptarët nuk janë identifikuar kurrë.
Qeveria e Keir Starmer e kthen edhe komunitetin shqiptar në atë shkëlqimin që ka pasur gjatë këtyre 25 viteve”, tha avokati Hasani për Versus.al
Më pas, ai ka sqaruar se kush mund të përfitojë azil në Britani.
“Të gjithë ata azilkërkues që kanë bërë kërkesa për azil, nëse vërtetojnë se jeta e tyre për arsye të ndryshme është në rrezik në Shqipëri, padyshim mund të përfitojnë azil”, u shpreh avokati Naim Hasani.
Sipas avokatit shqiptar, qeveria britanike mund të rikthejë një ligj të vitit 2002 që e cilësonte Shqipërinë si një vend të sigurtë dhe kjo gjë do ta bëjë shumë të vështirë që një shqiptar të përfitojë azil në Britaninë e Madhe.
“Qeveria dhe ministrja e Brendshme e kanë bërë të qartë se mund të kenë një rikthim në ligjin për emigracionin, azilin e shtetësinë e vitit 2002 që e cilëson Shqipërinë një vend të sigurtë, por kjo nuk do të thotë se, rast pas rasti dhe në rastë të veçanta shqiptarët të përfitojnë azil.
Ata që nuk do të marrin azil do të kthehen, kurse ata që do të provojnë se jeta e tyre është në rrezik padyshim ligji është aty për ata që kërkojnë dhe e meritojnë mbrojtjen ndërkombëtare.
Strategjia për gomonet do të jetë e ndryshme dhe qeveria britanike në bashkëpunim me Francën, dhe sot Presidenti Macron dhe Kryeministri i Starmer do të nënshkruajnë një marrëveshje prej 80 milionë paundsh për dislokimin e agjentëve britanikë, policëve dhe zyrtarëve të kufirit, pranë organeve të policisë franceze”, theksoi avokati Hasani.
“Kush meriton azil në Britani, do ta marrë dhe të integrohet në vend, kush nuk ka mundësi të marrë azil, duhet të kthehet mbrapsh. Sa më parë dhe aq më shpejt të bëhet, është më mirë. Ka qytetarë shqiptarë që presin mbi 20 vite për shqyrtimin e kërkesave të tyre.
Qeveria e Keir Starmer është një shpresë e jashtëzakonshme që këto të drejta për shqiptarët të mos nëpërkembën më”, përfundoi avokati Naim Hasani, bisedën me Versus.al.
Në shkrimin e sote, The Telegraph nënvizon se zyrtarët pritet t'u japin përparësi azilkërkuesve nga vendet të cilësuara “të sigurta” si Vietnami, Shqipëria, Egjipti dhe India, që përbëjnë edhe 30% të shifrës së përgjithshme të azilkërkuesve.
Gazeta gjithashtu kupton se masa nuk do të kërkojë ndonjë ndryshim në Aktin e Migrimit të Paligjshëm të Rishi Sunak, i cili u miratua vitin e kaluar. Kjo për shkak se ish-kryeministri nuk aktivizoi kurrë dy elementë të aktit - që çdo kërkesë për azil e bërë në 18 muajt e fundit do të konsiderohej e papranueshme dhe ato më pas do të deportoheshin në Ruandë - gjë që do të kishte penguar zbatimin e planeve të Laburistëve. Versus.al







