Mirditë- Rreth 70 minatorë në SPAK pezulluan dje punën në galeritë e kromit në pronësi të kompanisë turke “Tete Albania Tunnel & Mining” duke kërkuar nënshkrimin e kontratës kolektive për përmirësimin e kushteve të punës dhe paga më të larta.
Ata shprehën zhgënjimin me rrugën dhe kushtet e punës duke thënë se nuk mundet të rrezikojnë jetën çdo ditë nëntokë për 20 mijë lekë të vjetra si pagesë ditore.
“Më kanë zhgënjyer me rrogën dhe me kushtet. Brenda ligjit dhe kushtetutës, ne duam kushte për punë, se s’jemi tu bo luftë me turqit, por duam drejtësi për vendin tonë të punës. Unë punoj nëntokë prej shumë vitesh dhe nuk mund të rrezikoj jetën për 20-30 mijë lek të vjetra në ditë”- u shprehën punëtorët.
Mirëpo, pas qëndresës së punëtorëve, ajo çfarë bën përshtypje është forca me të cilën policia ishte e vendosur që të shoqëronte në komisariat 7 prej tyre, për t’i liruar në mbrëmje. Pamjet e publikuara në media tregojnë momentin kur policia shtyn fizikisht punëtorët të cilët përveçse pagave dinjitoze kërkonin edhe krijimin e një sindikate të pavarur në mbrojtje të tyre, gjë të cilën kompania turke nuk e njeh. Versus.al







