Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka patur kritika të forta ndaj draftit të Kodit të ri Penal. Duke theksuar se nuk ka patur argumente mjaftueshëm pro krijimit të një kodi të ri penal, Çela tha se nuk ishte i nevojshëm ky lloj hartimi, në kohën kur për t’u përshtatur me ligjet e BE-së mund të bëheshin ndryshime.
"Unë kam një opinion timin që ndikohet nga fakti që mungesa e përcaktimit të metodologjisë, nuk arrita të shoh nevojat e shoqërisë. Cilat kanë qenë? Asnjë në sot nuk është në gjendje ta përcaktojë, dy janë argumente që thonë kodi është i ’95-ës që nuk është argument sepse koda të vjetra ka plot që funksionojnë më së miri dhe tjetra, integrimi europian. Nuk di argument tjetër. Në pikëpamjen time ka patur nevojë për përmirësim aty ku është e mundur. Të ndryshosh bazat e aplikimit të Kodit Penal është një proces aspak i lehtë dhe kjo e bën dhënien e opinionit shumë delikat. Pse? Kodet i bëjnë profesorët pasi dëgjojnë nevojat e praktikantëve, por pasi shikojnë tendencat e shoqërisë. Kjo punë kërkon kohë he jashtëzakonsisht kujdes për procesin. Nëse ne mendojmë se duke bërë konsultime publike, pra duke mbledhur prokurorë në secilin rreth për 2 orë do arrijmë të kemi nëj produkt që vjen si rrjedhojë e konsultimit të gjerë publik, atëherë më vjen keq, por ky është thjesht justifikim”- tha Çela.
Ndërsa tha se procesi i konsultimit publik është thjesht justifikim sepse asnjë prokuror nuk ka kohë ta lexojë dhe të japë një mendim të qenësishëm mbi draftin. Duke vënë në dukje faktin që në draft janë shtuar 500 nene për vepra penale, Çela ngriti pikëpyetjen nëse gjatë gjithë kësaj kohe shoqëria shqiptare ka jetuar në paligjshmëri.
“Sot nuk ka asnjë prokuror në gjendje të bëjë analizë për 900 e ca dispozitave të këtij kodi të ri. Nëse ky prokuror ka qindra dosje, ku e gjeti ky kohën të japë mendim mbi ato dispozita? Pra procesi në vete është formal, nuk mund të jetë kurrë process thelbësor. Patjetër që kjo gjë do sjellë mungesën e një kritike serioze mbi draftin
Kalojmë nga një kod me 400 nene në një draft me 900 e ca nene. Po këto 500 nenet që janë shtuar, paskemi jetuar në një paligjshmëri të madhe në shoqërinë shqiptare ku shumë veprime të cilat kanë qenë të padënuara do i dënojmë këtej e tutje? Së treti teknika e përdorur, nuk është në lartësinë e duhur”- shtoi kryeprokurori Çela. Versus.al







