Saranda rezulton të jetë qyteti me koeficientin e kriminalitetit më të lartë në raport me popullsinë për vitin 2024. Ndërsa qarku me më përqindjen më të ulët të kriminalitetit në raport me banorët, është Berati.
Ndërkohë, peshën më të madhe të procedimeve penale përgjatë vitit 2024, e zë Tirana me 35.5% të totalit të numrit të procedimeve. Shifrat i prezantoi kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë seancës dëgjimore në komisionin për Çështjet Ligjore. Në total gjatë vitit 2024 janë ndjekur penalisht 47.576 persona, duke përbërë rritje me 4.79% krahasuar me vitin 2023.

Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %. Këto të dhëna, nisur nga karakteristikat e veprave penale, evidentojnë forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional dhe të sistemit të mbikëqyrjes e kontrollit.
Çela bëri me dije se ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje me 21,72 %, për veprat kundër lirisë së personit 30,59 %, për krimet seksuale gati 30%, për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29 %, për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18 %.
Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë. Versus.al







