
Ditët e para të Janarit kanë sjellë rritje të rasteve me grip. Mjekët tregojnë se kjo situatë përsëritet çdo fillim viti, për shkak të udhëtimeve brenda e jashtë vendit, por edhe për shkak të uljes së temperaturave.
Sipas Urgjencës Kombëtare, grupmosha më e prekur në këtë periudhë janë fëmijët nga 4 deri në 14 vjeç, të cilët rezultojnë të infektuar kryesisht nga virusi “AH3N2”.
Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, kërkon që qytetarët të mos alarmohen të mos u drejtohen menjëherë spitaleve, nëse nuk kanë shenja shqetësuese dhe simptoma serioze. Gjithashtu, kërkoi që qytetarët të shmangin ambientet e mbipopulluara.
Intensiteti i virusit është rritur ndjeshëm për shkak se kontaktet me personat e infektuar janë të pashmangshme gjatë transportit publik, shkolla, çerdhe dhe ambiente ku numri i njerëzve është i lartë. Kulmi i infeksioneve pritet të arrijë në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit.

