Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet nesër, më 21 prill, pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit të GJKKO-së, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Partia Demokratike përmes një njoftimi të shpërndarë brenda strukturave të saj në Tiranë. Në këtë komunikim të brendshëm, i është bërë thirrje degëve të partisë që të organizohen dhe të jenë të pranishëm në mënyrë masive pranë ambienteve të SPAK-ut në orën 09:30 të mëngjesit, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj liderit historik të PD-së.
“Te dashur miq, nesër ditën e Hënë në orën 09:30, Kryetari i PD Sali Berisha do të jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty,” thuhet në mesazhin e shpërndarë në rrugë të brendshme brenda partisë.
Kjo nuk është hera e parë që mbështetësit e Berishës shfaqen në mënyrë të organizuar përkrah tij në përballjet me drejtësinë. Edhe gjatë seancave të mëparshme në lidhje me masën e sigurisë, simpatizantë dhe anëtarë të PD-së kanë qenë të pranishëm fizikisht për të shprehur solidaritet.
Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas një periudhe prej rreth një viti në arrest shtëpiak, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Partizani”, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre në favor të përfitimeve të paligjshme. Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit të Posaçëm përcakton që ai duhet të paraqitet pranë autoriteteve dy herë në muaj.








