Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ka dalë në dritë në lidhje me atentatin ndaj Gjovalin Prendit, 64 vjeç, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në fshatin Pllanë të Lezhës. Mjeti i përdorur nga autorët për të kryer krimin, një makinë tip "Land Rover", i gjetur e djegur në fshatin Gjormë, në afërsi të vendngjarjes, dyshohet se ishte vjedhur në Peqin.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, pas verifikimeve të kryera, rezulton se automjeti ishte vjedhur më 13 mars 2025 në qytetin e Peqinit. Kjo e dhënë është duke u analizuar nga policia dhe prokuroria e Lezhës si një element kyç që mund të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pista kryesore e hetimit, sipas burimeve pranë organit të akuzës, mbetet hakmarrja, duke pasur parasysh të kaluarën kriminale të djalit të viktimës. Gjovalin Prendi ishte babai i Sidorel Prendit, i njohur ndryshe me emrin Roan Brahimi, i cili u ekzekutua më 9 maj 2024 në Athinë, Greqi.
Sidorel Prendi ishte një emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi, pasi dyshohej për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe trafik narkotikësh. Vrasja e tij në Greqi mbeti e pazbardhur, por kishte ngritur dyshime të forta për një konflikt të mundshëm mes grupeve kriminale.
Vrasja e të atit, rreth një vit më pas, po shihet nga hetuesit si pjesë e të njëjtit zinxhir ngjarjesh. Mënyra profesionale e ekzekutimit, përdorimi i një mjeti të vjedhur dhe më pas djegia e tij, janë tregues të qartë se pas atentatit fshihen autorë me përvojë në krimin e organizuar.
Grupi hetimor është duke analizuar të gjitha pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë, si dhe po vijon marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni mbi lëvizjet e viktimës apo autorëve në ditët para atentatit.
Ndërkohë, prokuroria e Lezhës ka kërkuar bashkëpunim edhe me autoritetet greke, për të pasur akses në dosjen e hetimit mbi vrasjen e Sidorel Prendit (Roan Brahimit)në Athinë, në mënyrë që të mund të krahasohen të dhënat dhe të gjurmohen ndërlidhjet mes dy ngjarjeve.
Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa policia kërkon ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në identifikimin e autorëve të kësaj vrasjeje të dyfishtë, që ka tronditur jo vetëm zonën e Lezhës, por edhe opinionin publik.








