Tragjedi në një famije shqiptare në Itali. Gjejnë të vdekur në shtëpi djalin e vetëm të tyre. Siç njoftojnë mediat italiane, një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së enjtes, më 17 prill, në komunën Barberino Tavarnelle, pranë Firences, ku një adoleshent 16-vjeçar me inicialet A.S., është gjetur pa shenja jete në shtratin e tij, në banesën familjare në zonën e njohur si Bustecca.
Ishte nëna e tij ajo që bëri zbulimin tronditës rreth orës 15:30, sapo ishte kthyer nga puna. Fillimisht kishte menduar se i biri ende po flinte, për shkak të pushimeve të Pashkëve dhe mungesës së shkollës, por pasi hyri në dhomën e tij për ta zgjuar, kuptoi se diçka nuk shkonte – djali ishte i palëvizshëm dhe nuk reagonte.
Në gjendje shoku, ajo njoftoi menjëherë shërbimet emergjente dhe u përpoq ta reanimonte vetë të birin. Fatkeqësisht, edhe pas mbërritjes së mjekëve dhe vullnetarëve të urgjencës, i riu u shpall i vdekur në vendngjarje.
Sipas të dhënave të para, vdekja dyshohet se ka ardhur për shkaqe natyrale, megjithatë, autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të ndarjes nga jeta të të miturit. Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe karabinierët e stacionit të Tavarnelles dhe të kompanisë së Scandicci-t, të cilët nuk kanë konstatuar shenja dhune apo elementë që të çonin drejt ndonjë vepre penale.
A.S. ishte nxënës në Institutin Teknik “Meucci” në lagjen Soffiano të Firences. Ai ishte fëmija i madh i një familjeje shqiptare, me dy motra më të vogla. Të dy prindërit, të përshkruar nga fqinjët si punëtorë të palodhur, jetonin prej disa vitesh në Barberino, ku kishin blerë banesën e tyre, pasi më herët kishin jetuar në Tavarnelle – vend ku djali kishte ndjekur shkollën fillore dhe të mesme të ulët.
Si çdo adoleshent i moshës së tij, A.S. ishte i apasionuar pas teknologjisë dhe rrinte shpesh me telefon apo duke luajtur me shokët. Pasion i tij i madh ishte biçikleta, me të cilën lëvizte edhe për të shkuar në Tavarnelle.








