
Durrës- Tre vëllezër janë arrestuar nga policia, pasi u konfliktuan me sende të forta ditën e sotme pranë banesave të tyre në Hamallas, ku njëri prej tyre ka mbetur i plagosur.
Konflikti nisi nga diçka banale në dukje, por mund të përfundonte në tragjedi, nëse nuk do të ndërhynte policia, për shkak të armëve që njeri prej vëllezërve dispononte në banesë.
Sipas Policisë ngjarja nisi kur shtetasi A. P. dëmtoi me thikë gomat e automjetit tip furgon të vëllait.
Më pas ka nisur dhe konflikti mes tyre duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës, ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar njëri prej vëllezërve me inicialet Y. P., fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. P., Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, katër karikatorë për pistoletat, një silenciator të pamontuar dhe fishekë luftarakë.
Akuzat që rëndojnë mbi vëllezërit:
A. P., 53 vjeç, akuzohet për veprat penale "Dhuna në familje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve", “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Shkatërrim prone";
L. P., 49 vjeç, dhe Y. P., 43 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme
Njoftimi i Policisë/ Durrës
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon përshkallëzimin e konfliktit, që mund të sillte pasoja për jetën.
Vihen në pranga tre vëllezër, të cilët u konfliktuan me njëri-tjetrin.
Policia gjen dhe sekuestron në banesën e njërit prej vëllezërve dy pistoleta, katër karikatorë, një silenciator të pamontuar, një thikë dhe fishekë luftarakë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se në Hamallaj, Durrës, po ndodhte një konflikt midis tre vëllezërve, shkuan menjëherë në adresën e dhënë, duke ndërhyrë dhe neutralizuar të dyja palët e konfliktit, konflikt ky që mund të kishte pasoja për jetën.
Nga veprimet e shpejta rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, njëri prej vëllezërve, shtetasi A. P., ka dëmtuar me mjet prerës (thikë) gomat e një automjeti tip furgon, dhe më pas është konfliktuar fizikisht me dy vëllezërit e tij, shtetasit L. P. dhe Y. P., duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës (thikë), ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar në dorë shtetasi Y. P., jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. P., Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, katër karikatorë për pistoletat, një silenciator të pamontuar dhe fishekë luftarakë. Gjithashtu, u sekuestrua dhe mjeti prerës (thikë) i përdorur gjatë konfliktit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë tre vëllezërit, shtetasit:
- A. P., 53 vjeç, për veprat penale "Dhuna në familje", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve", “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Shkatërrim prone";
- L. P., 49 vjeç, dhe Y. P., 43 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/ Versus.al







