Tiranë- Policia ka arrestuar 3 tifozë dhe ka proceduar penalisht 7 persona të tjerë për përplasjet e dhunshme mesditën e djeshme në prag të ndeshjes “Partizani-Tirana” në stadiumin “Arena e Demave”.
Tre tifozët E. I., 26 vjeç, E. V., 31 vjeç dhe L. I., 29 vjeç, janë arrestuar për kundërshtimin e punonjësve të policisë dhe veprime të dhunshme në aktivitete sportive.
Ndërsa nën hetim përveç 5 tifozëve janë vënë edhe përfaqësues të FSHF dhe të Partizanit. Sekretari i Përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba po procedohet penalisht në gjendje të lirë si dhe delegati i FSHF për ndeshjen, Marjus Sulejmani.
Policia në njoftimin e bërë sqaron se më datë 4 shkurt, i kishte njoftuar organizatorët e ndeshjes se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotësonte kushtet e sigurisë për të zhvilluar një derbi duke krijuar rreziqe për incidente të mundshme.
Pavarësisht këtij njoftimi dhe mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga organizatorët, Policia e Tiranës mori masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Versus.al








