AKTUALITET /

Shqipëria rihap pas 20 vitesh shkollën e pilotëve ushtarakë

Programi i trajnimit do të mbështetet fillimisht nga dy helikopterë të rinj Bell 505, të cilët do të shërbejnë si platforma moderne për formimin e pilotëve të ardhshëm.

Shkruar nga Versus

Shqipëria rihap pas 20 vitesh shkollën e pilotëve ushtarakë

Shqipëria ka rikthyer shkollën e pilotëve ushtarakë, një projekt që synon të krijojë kapacitete kombëtare për përgatitjen e pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit sipas metodologjisë së aleatëve të NATO-s.

Në ceremoninë e inaugurimit të shkollës kombëtare të Fluturimit, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi hapjen e shkollës si “një gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcës Ajrore” dhe “krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”.

“Sot shënojmë krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, që lidhet me një nga elementët më të rëndësishëm të fuqisë sonë mbrojtëse: kapacitetet njerëzore”, deklaroi Nufi.

Sipas tij, shkolla ndërthur kapitalin njerëzor, teknologjinë moderne dhe standardet ndërkombëtare, duke krijuar kushtet që pilotët, kontrollorët e fluturimit dhe personeli ajror të përgatiten sipas metodologjive më të avancuara të vendeve aleate.

Ministri bëri të ditur se programi i trajnimit do të mbështetet fillimisht nga dy helikopterë të rinj Bell 505, të cilët do të shërbejnë si platforma moderne për formimin e pilotëve të ardhshëm.Versus.al

Poll