
Pothuajse e gjithë gjykata e Elbasanit, ka qenë nën kontrollin e të shumëkërkuarit Suel Çela. Të paktën kështu tregon dosja e SPAK në bazë të të cilës u lëshuan 21 masa sigurie. Përveç ish-kryegjyqtarit Zihni Shahu dhe ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, nën ‘urdhrat’ e Suel Çelës rezulton të ketë qenë edhe gjyqtarja Enkeleda Kapedani e cila njihet ndryshe edhe si “gjyqtarja e TikTok-ut” për shkak se postonte në rrjete sociale video ku shihej teksa sflionte në zyrë.
Mësohet se në mars të vitit 2020, Suel Çela ka komunikuar me anëtarin e bandës së tij Klaus Matishin të cilit i shkruan se do të komunikojë me ish-gjyqtaren Fetahu. Ndër të tjera shkruan se është më mirë që dosja e tij të gjykohet nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani dhe jo Tomorr Kukolli. Kjo dëshirë e Suel Çelës është miratuar, Kukolli jep dorëheqjen e cila i miratohet nga ana e Zihni Shahut dhe më pas çështja i kalon Kapedanit. Më 30 prill të vitit 2020 Kapedani vendos të pushojë çështjen penale ndaj Marjus Lelajt (Suel Çelës).
Në bisedat e zbardhura falë përgjimeve në Sky Ecc, Klaus Matishi i shkruan vajzës së gjyqtares Megi Fetahu për t’i shprehur konsideratën e Suel Çelës ndaj mamasë së saj. Në bisedën mes tyre anëtari i bandës së Suel Çelës i shkruan pedagoges se për gjyqtaren Fetahu, ata janë të gatshëm edhe të përballen me kryeministrin Rama nëse do ishte nevoja duke argumentuar se mbështetja e tyre u duhej socialistëve vetëm për vota.
“Respekti mamit dhe ndihma e mamit tënd nuk blihet me lek per kok tate shoku un e japim jeten per ate luft me ramen bejm pa mendu fare se ajo meriton shum e me shum esht nder te vetmit qe mundohet me shpirt per ne fhe na ndimon ok dhe boll me idjotsina...Ti di cdo gje tonen ti kam then te rezultonna nji tna ndimoj se na do ?? O leket o interes balla na do per vota ben virioni fiton kafe landi mer leket ben sikur na do ndimon dhe katnaret me peshore ne dor kurse mam jot esht burrnesh dhe me njerez si mam sja kufi ska rezerva...Apo qazimi na ndimon se ka frik se po humem ne e di qe han k*rin”- thuhet në bisedën e anëtarit të bandës së Suel Çelës me vajzën e Pajtime Fetahut. Versus.al







