Arratisja e bujshme e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit po zbulohet çdo orë e më shumë si një skemë e ndërtuar mbi shkelje flagrante protokolli, fiktivitet mjekësor dhe një zinxhir përgjegjësish të shpërbërë brenda burgut dhe institucioneve shëndetësore. Skenari zyrtar që thotë se i paraburgosuri u dërgua për vizitë, mori trajtim mjekësor, u rekomandua rikontroll dhe më pas shfrytëzoi “daljen në tualet” për të goditur dy policë e për t’u zhdukur me vrap drejt një Audi A7, bie ndesh me të dhënat nga brenda spitalit, sipas të cilave kirurgu i caktuar as nuk e pa, as nuk e vizitoi, sepse në atë orar ishte në sallë operacioni me një pacient tjetër civil.
Dyshimet nisin që në momentin e parë të lëvizjes. I paraburgosuri 38-vjeçar, në hetim për vrasje dhe grup kriminal, del nga burgu me ambulancë, pa pranga, në ora 10:10 të 13 janarit, ndonëse mjeku i spitalit – sipas burimeve – kishte kërkuar 2–3 orë kohë për t’u përgatitur, për të mbyllur operacionin dhe për të koordinuar sigurinë dhe konsultën. Në vend që kjo kohë të shfrytëzohej për planifikim, kryeinfermieri i burgut firmos daljen pothuaj menjëherë, duke u sjellë si në një urgjencë jetike shëndetësore, ndërkohë që sot dyshohet se urgjente ka qenë vetëm realizimi i arratisjes. Kjo nxitim e ka çuar kryeinfermierin në pranga, i akuzuar se ka lehtësuar lëvizjen e Ndocit drejt daljes.
Pjesa më kontradiktore lidhet me vetë “trajimin mjekësor”. Protokollet profesionale janë të qarta: askush nuk mund të marrë ilaç, serum apo “trajtim” pa urdhër mjeku të dokumentuar. Por kirurgu që duhej të kryente konsultën nuk ka lëshuar asnjë urdhër, sepse nuk ka pasur kontakt fare me Ndocin; në vend të sallës së Urgjencës, ku dërgohen rastet e vërteta emergjente, i paraburgosuri dërgohet në godinën e Infektivit, në një dhomë shtrimi me dyer e dritare me kafaz hekuri, jo në një ambient konsultash. Aty dyshohet se ka qëndruar rreth tre orë, pa asnjë vizitë, vetëm nën mbikëqyrjen e dy policëve të burgjeve – duke pasur kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për të vëzhguar, komunikuar dhe për t’u përgatitur për lëvizjen fatale.
Element tjetër skandaloz është mënyra si u menaxhua shoqërimi. Për Ndocin dhe një tjetër të paraburgosur me vepra të lehta penale janë vënë në lëvizje pesë policë të burgjeve. Tre e kthejnë të dytin në qeli me ambulancë, ndërsa dy mbeten me 38-vjeçarin, në kundërshtim me procedurat që kërkojnë minimalisht tre efektivë, ku njëri duhet të jetë dorë për dore, i lidhur me pranga me të burgosurin. Në praktikë, kjo do të thotë se në momentin e arratisjes, një i burgosur i rrezikshëm, i konsideruar pjesë e një grupi kriminal, përballet vetëm me dy policë, pa pranga, në një dhomë jo të urgjencës, por të shtrimit. Skenë perfekte për të inskenuar “dhunimin e policëve” dhe zhdukjen në sekonda drejt makinës së luksit që e priste jashtë.
Një tjetër hallkë e rëndë në këtë zinxhir është mosnjoftimi i institucioneve të tjera. Burgu i Durrësit nuk informon as Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, as komisariatin e policisë për lëvizjen e një të paraburgosuri të rrezikshëm drejt spitalit detyrë që bie mbi një punonjëse të policisë së burgjeve, tashmë e arrestuar. Kjo bën që spitali të mos ketë as masa të posaçme sigurie dhe policia e rendit të mbetet jashtë skemës, duke e lënë gjithë kontrollin e situatës tek një grup i vogël njerëzish brenda burgut dhe ambulancës.
Rezultati: një arratisje “e lehtë” nga një dhomë ku i paraburgosuri, sipas logjikës së sigurisë, nuk duhej të ishte, në një orar kur mjeku që supozohet ta kishte vizituar nuk ishte i disponueshëm, me një eskortë të fryrë në numër, por të dobësuar në momentin kritik, pa njoftime në zinxhirin komandues dhe me firma të nënshkruara në kohë rekord.
Deri tani, skandali ka prodhuar dhjetë të arrestuar nga pesë policët e shoqërimit, te ish-drejtori i burgut, Indrit Cërloj mjekja e institucionit, Ylfete Sema, kryeinfermieri Aulon Cuko dhe punonjësja përgjegjëse për komunikimin ndërkohë që zinxhiri komandues është shkarkuar me firmën e Ministrit të Drejtësi Besfort Lamallari.
Por përtej arrestimeve dhe masave disiplinore, pyetja thelbësore mbetet: a kemi të bëjmë me një “rrëshqitje kolektive” të rregullave, apo me një plan të qartë të lehtësimit të arratisjes së një të paraburgosuri të rrezikshëm, të maskuar si urgjencë mjekësore?
Fakti që deri sot Altin Ndoci është zhdukur pa asnjë gjurmë, ndërsa në dosje dalin vendime të shpejta, nënshkrime të nxituara dhe dhoma të zgjedhura “me dorë”, e bën këtë rast shumë më tepër se një dështim procedure: e kthen në një provë testi për gjithë sistemin e sigurisë në burgje.
Tetë punonjësit e ndaluar më parë për arratisjen e ndodhur në Burgun e Durrësit:
-Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
-Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
-Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
/Versus.al

