AKTUALITET /

SPAK dyshon se u pagua nga Suel Çela, Artan Hoxha: Akuza të padrejta, janë ngatërruar me teknikën gazetareske

Sipas Hoxhës, SPAK ka ngatërruar qëllimisht teknikat gazetareske për marrjen e informacionit, me aktivitetin e një organizate kriminale.

Shkruar nga Versus
SPAK dyshon se u pagua nga Suel Çela, Artan Hoxha: Akuza të
Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno

Ditën e djeshme, SPAK doli me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar pas kontrolleve në Elbasan ku u godit banda e Suel Çelës dhe u lëshuan në total 21 masa sigurie, dy prej tyre “detyrim paraqitje” për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno.

Ata akuzohen nga SPAK se kanë marrë para nga Suel Çela për të mbajtur qëndrime të caktuara në daljet e tyre mediatike apo në artikujt e shkruar.

Por gazetari Artan Hoxha i kontaktuar nga Zëri i Amerikës ka mohuar kategorikisht të ketë qenë bashkëpunëtor i ndonjë organizate kriminale duke theksuar se nuk e ka përdorur kurrë profesionin në favor të interesave të krimit, politikës apo biznesit.

“Do të provojmë në gjykatë se akuzat ndaj nesh janë të padrejta dhe se shërbimi që i kemi bërë publikut ka qenë tërësisht profesional, korrekt, i paanshëm, duke i qëndruar gjithmonë publikimit të së vërtetës”, tha zoti Hoxha.

Sipas tij, në rastin konkret, vetëm ka denoncuar veprimtaritë e këtyre organizatave kriminale dhe lidhjet e tyre me njerëzit e pushtetit pavarësisht se në deklaratën zyrtare të SPAK thuhej se Suel Çela ka paguar gazetarët për të thënë në daljet e tyre mediatike që “rivalët” e tij janë të paprekshëm në mënyrë që të rritet trysnia për kontrolle ndaj tyre.

Por Hoxha theksoi më tej se akuza si pjesëtar i një organizate është krejtësisht e pambështetur në prova dhe fakte të vërteta apo të besueshme, ndërsa organi i hetimit ka ngatërruar qëllimisht profesionin e gazetarit, teknikat gazetareske për të marrë informacion me aktivitetin kriminal të një organizate kriminale.

“Veprimi i SPAK-ut është shoqëruar nga një lumë akuzash dhe të pavertetash të publikuara në media nga eksponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët kam publikuar akte korruptive në të kaluarën. Duket e çuditshme, për të mos thënë e qëllimshme, që SPAK-u vendos të veprojë ndaj dy gazetarëve kryesorë, të cilët kanë denoncuar informacione të siguruara nga rrjeti i kriptuar SkyeCC, të cilat tregojnë implikimin e krimit të organizuar me njerëz të politikës dhe zbatimit të ligjit. Kontrolli i paligjshëm i kryer në banesat tona, duke na sekuestruar mjetet dhe arkivën e punës si gazetarë, u shoqërua me akuzat që na kanë adresuar në mënyrë të padrejtë”, tha gazetari.

Ai së bashku me gazetarin tjetër të kronikës, Elton Qynon u paraqitën në SPAK ditën e hënë për të marrë informacion lidhur me operacionin ndaj tyre dhe më vonë deklaruan për mediat se u ishte kërkuar falje për mënyrën sesi kishin kryer kontrolle në zyrat e tyre. Versus.al

Poll