AKTUALITET /

Vrasje dhe korruptim i gjyqtarëve për të dënuar rivalët, SPAK për 21 masat e sigurisë: Trafik droge nga Ekuadori, Suel Çela pagoi 2 gazetarët

Përveç trafikut të sasive të mëdha të kokainës nga Ekuadori, grupi i Suel Çelës ishte përfshirë edhe në tentativa vrasjesh dhe korruptimin e gjyqtarëve për të rënduar dënimet e rivalëve të tyre.

Shkruar nga Versus

Vrasje dhe korruptim i gjyqtarëve për të dënuar

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me 21 masat e sigurisë të lëshuara ditën e djeshme ku u godit grupi i të shumëkërkuarit Suel Çela, i cili kryeson një linjë të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë.

Grupi kriminal kontrollonte territorin me bazë në Elbasan duke përdorur dhunë dhe plane për eleminimin fizik të rivalëve të Suel Çelës. I gjithë aktiviteti kriminal financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Veprat e dokumentuara për të cilat akuzohet grupi i drejtuar nga Suel Çela:

Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të Ardian Çapjas, në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit.

Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;

Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.

Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.

Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.

Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

Metoda e Suel Çelës për blerjen e gjyqtarëve dhe manipulimin e opinionit falë gazetarëve të paguar

Grupi kriminal kishte arritur të korruptonte ish-shefin e komisariatit nr.2 Dedan Gjonin (në arrest me burg për Metamorfozën) i cili u jepte infromacione. Po ashtu ish-kryegjyqtarin Zihni Shahu dhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu duke u paguar para në këmbim që të lehtësonin pozitën e Suel Çelës ndaj të cilit rëndojnë një sërë akuzash për vepra të rënda penale. Gjithashtu grupi i Suel Çelës ka ndikuar tek gjyqtarët që të rëndonin masën e dënimit ndaj anëtarëve të grupeve rivale.

Suel Çela ka arritur që të manipulojë opinionin publik duke bërë që rivalët e tij të cilësoheshin si të paprekshëm për shkak të lidhjeve me politkën. Qëllimi i tij ishte që si pasojë e trysnisë për hetime pasurore dhe nxitja e mediave të dëmtonte interesat e rivalëve dhe të forconte pozitat e tij.

Për të arritur këto qëllime, Suel Çela ka paguar gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno për të mbajtur qëndrime në media të cilat i leverdisnin planeve të tij për keqinformimin e opinionit publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

Në blerjen e lëndës narkotike

Në gjendje cash-i në Shqipëri

Në biznese në dukje të rregullt

Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit. 

Për këtë operacion SPAK lëshoi 18 masa arresti me burg, 2 masa detyrim paraqitje për gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno si dhe "arrest shtëpie" për Blerina Beqirin, avokaten e Suel Çelës. Versus.al

Poll