Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen e njohur si “Toyota Yaris” për shkak të 3.4 mln euro të gjetura në dy mjete të kësaj marke të importuara nga Belgjika.
Muaj më parë, me urdhër të SPAK u arrestua ish-kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka i cili rezulton se kapërdorur pozitat e tij për të ndihmuar kushërinjtë Vladi të dënuar për këtë çështje. Sipas detajeve të bëra publike, Zarka ka përdorur aplikacionin “Sky Ecc” ku ka zhvilluar biseda të cilat sipas SPAK e inkriminojnë Zarkën në këtë ngjarje.
Ndaj Zarkës rëndojnë akuzat për veprat penale të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Të pandehur të tjerë në këtë dosje janë ish-oficerja gjyqësore Erjona Daupaj ndaj të cilës rëndojnë të njëjtat akuza si ndaj Zarkës. Dy avokatët Radovan Çela dhe Astrit Vladi janë vënë nën akuzë për korrupsion aktiv. Ky i fundit rezulton të jetë vëllai i Elvis Vladit, të dënuarit me 1 vit burg për dosjen si dhe kushëri me Alfred Vladin, po ashtu të akuzuar për këtë çështje.
Avokatët e të pandehurve kanë 10 ditë kohë të paraqesin kundërshti për akuzat e SPAK. Versus.al







