Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK.
Me anë të një reagimi të shkurtër dhe të cunguar SPAK bëri të ditur se i kishte komunikuar akuzat, nëpërmjet avokatit të tij, deputetit Ndreca.
Ky i fundit as nuk ka denjuar të shkojë në SPAK, por ka deleguar avokatin e tij, Ermal Yzeiraj.
Por si shkoi SPAK tek Ndreca në lidhje me tenderin e rikonstruksionit të 4 komisariateve të policisë, atij numër 4 në Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Përveç denoncimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, prokurorja e prokurorisë speciale, Dorina Bejko ka gjetur provat për të shkuar tek Ndreca në telefonin e Gjon Radovanit, ish-zv/ministër i Infrastrukturës, me profesion arkitekt dhe pronar i një firme ndërtimi.
Radovani kishte marrë pjesë në tender dhe kishte fituar një pjesë të punëve të tenderit për rikonstruksionin e komisariateve.
Hetimi në lidhje me këtë tender po zhvillohen prej disa muaj, dhe u finalizua pas provave materiale të marra në ceularin e sekuestruar biznesmenit Gjon Radovani i cili më herët ka mbajtur edhe postin e zv.Ministrit në qeverinë Rama 1.
Çfarë tha sot SPAK:
Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë.
Njoftimi i KLSH më 30 korrik 2021
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Ministrinë e Brendshme, duke i kushtuar vëmendje të posaçme çështjeve që lidhen me aktivitetin ekonomiko-financiar të saj për vitet 2018, 2019 dhe 2020.
Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në lidhje me këto shkelje ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzim penal ndaj 5 funksionarëve të Ministrisë së Brendshme, përgjegjës për vlerësimin e ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit” për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.







