
Klubi i Tiranës është në zi për ndarjen nga jeta të vajzës së lojtarit Freddy Alvarez. Me anë të një postimi për mediat, klubi bardheblu njoftoi lajmin e hidhur:
"Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë." - thuhet në postim.
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez, dhe familjen e tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës së tij.
Në shenjë respekti dhe solidariteti në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, është shtyrë.
Takimi do të luhet nesër, në të njëjtën orë, 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

