Një aksident tragjik ka tronditur pasditen e sotme zonën e Koplikut, ku një automjet tip Mercedes-Benz ka dalë nga rruga dhe është përplasur dhunshëm me një shtyllë reklame, duke i marrë jetën dy personave; babë e bir.
Të ndjerët janë identifikuar si Valentin Bluda, 32 vjeç, drejtues i mjetit, dhe Nikoll Bluda, 76 vjeç, pasagjer; atë e bir që humbën jetën së bashku në një ngjarje që ngjan me një skenë filmi tragjik.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:20, në aksin rrugor Shkodër–Hani i Hotit, në afërsi të rrethrrotullimit të Koplikut. Sipas informacioneve paraprake nga policia, dyshohet se drejtuesi i mjetit, Valentin Bluda, ka humbur kontrollin e automjetit për arsye ende të paqarta, duke dalë nga rruga me shpejtësi të madhe dhe përfunduar i përplasur me një shtyllë reklame.
Përplasja ka qenë aq e fortë, sa mjeti është shkatërruar plotësisht, ndërsa dy pasagjerët kanë ndërruar jetë në vend, pa mundur t’u jepet as ndihma e parë.
Valentin Bluda, një i ri me origjinë nga zona, po udhëtonte me babanë e tij, kur ndodhi fatkeqësia që i mori të dy nga jeta, në mënyrë të menjëhershme. Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka nisur menjëherë punën për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë. Dyshimet e para lidhen me shpejtësinë e lartë, por nuk përjashtohet mundësia e një defekti teknik apo përgjumjes së drejtuesit të mjetit.
Trupat e viktimave janë transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Shkodrës, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pritet të ndihmojë në ndriçimin e rrethanave të kësaj tragjedie.
Aksi Shkodër–Hani i Hotit është një nga segmentet më problematike në veri të vendit, i njohur për numrin e lartë të aksidenteve, shpesh me pasoja fatale. /VERSUS /







