Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu kanë kërkuar sot një akt riekspertimi për dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i ndodhur në Gërdec më 15 mars të vitit 2008 ku vdiqën 26 persona.
Sipas avokatëve të Mediut, ekspertët nuk kanë marrë parasysh një shkresë të kombinatit mekanik të Policcanit, të vitit 2007, ku përllogariten kostot e demontimit të municioneve, duke i konsideruar të dhënat e saj të falsifikuara.
Gjatë seancës së sotme në GJKKO, prokurorët e SPAK pyetën ekspertët për ekspertimin tekniko-financiar të kryer në funksion të hetimit për përgjegjësit e ngjarjes tragjike në Gërdec në vitin 2008.
Avokati Henrik Ligori tha në GJKKO se mbi dyshimet e falsifikimit të të dhënave mbi kostot e demontimit, janë kallëzuar penalisht 3 zyrtarë të kombinatit të Poliçanit por më pas gjykata e Beratit, ajo e apelit në Vlorë dhe gjykata e Lartë kanë pushuar akuzën ndaj tyre.
Me këtë argument, Ligori kërkoi që të merren në cilësinë e provës tre vendimet gjyqësore dhe të urdhërohet kryerja e një akti të ri ekspertimi të pjesshëm.
Në prill të vitit 2023 Fatmir Mediu u mor zyrtarisht i pandehur për tragjedinë e Gërdecit duke u vënë nën akuzë për “shpërdorim detyre” pasi dyshohet se dëmtoi interesat e shtetit duke nxjerrë akte antiligjore sa i takon procesit të demontimit të municioneve. Versus.al








