
Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka mbërritur ditën e sotme në Kosovë ku edhe është identifikuar nga famijarët e tij.
Liridona Shala, bashkëshortja e Faton Hajrizit tha se ishte shtangur, kur kishte parë trupin e pajetë të të shoqit në një gjendje të shkatërruar.
“Nuk e di çfarë kanë bërë me trupin e tij, por është totalisht i shkatërruar. E pashë me qefinin e mbuluar” , tha ajo për “Euronews Albania”.
E pyetur për gjendjen në të cilën ajo dhe familja e saj gjendet me mbërritjen e trupit te Faton Hajrizit në Kosovë, ajo shtoi se “humbja e tij na ka bërë të humbim edhe shpresat për të jetuar”.
Në kohën e arratisjes së fundit nga Kosova, Faton Hajrizi përshkruhej si një i burgosur i disiplinuar, i cili madje kishte fituar të drejtën për të shkuar në shtëpi në fundjavë. Por pas kësaj fundjave ai nuk u kthye në burg dhe u shpall në kërkim nga ana e policisë së Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, ai dilte në rrjetet sociale dhe akuzonte autoritetet për keqtrajtim të tij në burg ndërsa shprehej se nuk dëshironte të kthehej më aty dhe se kishte ikur jashtë rajonit të Ballkanit. Por vetëm pak ditë më pas u mësua lajmi se kishte ekzekutuar me armë zjarri një polic serb në fshatin Llozanë, kufirin mes Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ndaj tij u vunë në ndjekje autoritetet serbe që më pas e ekzekutuan dhe publikuan fotot e rënda në rrjetet sociale./ Versus.al







