
Tiranë- Në orën 09:30 të ditës së sotme Gjykata e Posaçme nis seancën për konfirmimin e masës së arrestit ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili u arrestua mesditën e 21 tetorit në hyrje të kryeqytetit, is-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe personat e tjerë nën hetim si bashkëpunëtorë të tyre.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot, me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit për personat nën hetim Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”- thuhet në njoftimin e GJKKO.
Për arrestimin e Metës pati sot një reagim nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit që theksonte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për SPAK-un sa i takon goditjeve të korrupsionit në nivelet e larta.
Kryetari i Partisë së Lirisë, akuzohet për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave që janë kryer në atë që njihet si afera “CEZ-DIA”, lobimi i LSI-së në SHBA dhe fshehja e pasurive të pasjustifikuara të ish-çiftit të politikanëve. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj deputetes së PL, Monika Kryemadhit, por për këtë të fundit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në një konferencë të gjatë që pati me mediat gjatë ditës së djeshme, Kryemadhi u shpreh e prekur nga zhvillimet e fundit dhe paralajmëroi rikthim të saj në politikën aktive me denoncime të tjera ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe kryebashkiakut Erion Veliaj duke pretenduar se këta të fundit qëndrojnë pas arrestimit të Metës që e konsideroi si “urdhër politik”. Ajo mori përsipër shpenzimet financiare të bëra duke thënë se ish-presidenti Ilir Meta nuk ka pasur asnjë dijeni mbi to dhe i arsyetoi duke thënë se të gjitha shpenzimet janë të deklaruara dhe ato të cilat cilësohen si “operacione plastike” sipas saj janë në fakt operacione të bëra për t’i shpëtuar jetën djalit të saj.
Për Pirro Xhixhon, të atin e deputetes Erisa Xhixho, GJKKO ka caktuar “arrest shtëpie” nën dyshimin se ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë gjatë kohës që ka mbajtur postin e kreut të AKEP. Sipas dosjes së SPAK, nga bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Piro Xhixhos rezulton se ky i fundit ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues të AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të llir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e shkelur detyrimin ligjor që përcakton se “AKEP është person juridik, publik i cili drejtohet nga Këshilli Drejtues që është i pavarur në marrjen e vendimeve dhe funksionon në bazë të rregullores së brendshme, të miratuar nga ai vetë. Këshilli Drejtues përbëhet nga 5 anëtare, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave”. Në mesazhet e tij drejtuar Monika Kryemadhit, Piro Xhixho i drejtohet kësaj të fundit me emrin “Mona” ndërsa kur bëhet fjalë për llir Metën, i drejtohet me emrin “shefi” dhe “I madhi”. Ndërsa për Ema Çokun, është caktuar masa “detyrim paraqitje” nën akuzën e pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim me Metën e Kryemadhin. Versus.al







