Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të dalë sot para Gjykatës së Posaçme ku do t’i caktohet masa e sigurisë për akuzat që rëndojnë ndaj tij, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve të tjerë, 5 prej të cilëve kanë detyrim paraqitje.
Të hënën e 10 shkurtit, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan në zyrën e Veliajt në bashkinë e Tiranës, menjëherë pasi kryebashkiaku kishte përfunduar një mbledhje, për ta shoqëruar drejt bllokut të sigurisë “Mine Peza”.
Për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masë “arrest shtëpie” e cila nuk u ekzekutua menjëherë pasi Xoxa ndodhej jashtë shtetit për arsye shëndetësore, por u kthye në të njëjtën mbrëmje.
Veliaj akuzohet për 9 raste korrupsioni me biznesmenë të ndryshëm të përfshirë si dhe për pastrim parash. Sipas SPAK, kryebashkiaku dhe gruaja e tij kanë përfituar pasuri të paluajtshme dhe fonde të fshehura përmes një rrjeti biznesmenësh të lidhur me bashkinë e Tiranës.
Biznesmenët e akuzuar nga SPAK:
Elman Abule (arrest me burg)
Gentian Sula (detyrim paraqitje)
Shkëlqim Fusha (detyrim paraqitje)
Meriman Palushi (Detyrim paraqitje)
Fatmir Bektashi (detyrim paraqitje)
Sokol Kryeziu (detyrim paraqitje), nuk është zbatuar masa pasi ndodhet jashtë vendit.
Pjesë e dosjes hetimore u bë edhe deputetja Klotilda Bushka, për të cilën SPAK ka dyshime se së bashku me Xoxën, takuan një prej dëshmitareve pasi ajo doli nga Prokuroria e Posaçme për t’ja asgjësuar më pas telefonin.
Arrestimi i Veliajt ka tronditur mazhorancën, ndërsa kryeministri Edi Rama ka reaguar me kritika ndaj SPAK, teksa atij vetë i kërkohet dorëheqja nga posti i kreut të mazhorancës që e mban prej 12 vitesh. Rama nuk i kurseu kritikat ndaj SPAK-ut duke thënë se hetimi ndaj Veliajt ishte bërë jashtë shinave kushtetuese dhe se ai dhe bashkëshortja e tij ishin trajtuar si kriminelë. Versus.al







