
Trupi i pajetë i zbuluar më 18 qershor në fshatin Cerrujë, në lagjen Domush, është identifikuar zyrtarisht si ai i Eglant Koçit, 34 vjeç, pas analizave të ADN-së të kryera nga autoritetet.
Sipas burimeve hetimore, identifikimi u mbështet edhe në disa elementë fizikë dhe personalë, si shenja operacioni, numri i këmbës 40 dhe veshjet e zeza, të cilat përputheshin me ato të të riut të zhdukur.
Pas konfirmimit, pritet që familjarët të tërheqin trupin nga morgu i Tiranës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Policia dyshon se ngjarja ka lidhje me 41-vjeçarin Armand Shakaj, i cili konsiderohet si personi kryesor i dyshuar për pengmarrjen dhe vrasjen e të riut. Në hetim është përfshirë edhe 25-vjeçari Enea Zyferi, i arrestuar më herët dhe i dyshuar si bashkëpunëtor.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, rezulton se nga vendngjarja është larguar një automjet i drejtuar nga Shakaj, ndërsa dyshohet se në mjet ndodhej edhe trupi i viktimës. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu motorin e 34-vjeçarit, i cili ishte zhdukur fillimisht pas ngjarjes.
Hetimet vijojnë për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.Versus.al

