
Mëngjesin e sotëm ka mbërritur në Kosovë trupi i pajetë i Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgi i Kosovës i cili u vra më 19 korrik pas një shkëmbimi zjarri me palën serbe pak orë pasi kishte ekzekutuar një polic. Trupi i Hajrizit do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore, rezultatet e të cilës do të publikohen në nisje të javës që vjen.
Ngjarja ngjalli shumë reagime mes dy vendeve, me vetë presidentin Aleksandër Vuçiç i cili e cilësoi çdo gjë si të çuditshme.
Kush ishte Faton Hajrizi.
I arrestuar për të parën herë në vitin 2000 për vrasjen e një ushtari rus, Faton Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, do të shndërrohej në një person me histori të gjatë kriminale dhe famë për shumë arratisje nga burgjet e Kosovës.
Për të fundit herë ai u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik të vitit 2024. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Në kohën e arratisjes së fundit nga Kosova, Faton Hajrizi përshkruhej si një i burgosur i disiplinuar, i cili madje kishte fituar të drejtën për të shkuar në shtëpi në fundjavë. Por pas kësaj fundjave ai nuk u kthye në burg dhe u shpall në kërkim nga ana e policisë së Kosovës.
Gjatë kësaj kohe, ai dilte në rrjetet sociale dhe akuzonte autoritetet për keqtrajtim të tij në burg ndërsa shprehej se nuk dëshironte të kthehej më aty dhe se kishte ikur jashtë rajonit të Ballkanit. Por vetëm pak ditë më pas u mësua lajmi se kishte ekzekutuar me armë zjarri një polic serb në fshatin Llozanë, kufirin mes Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ndaj tij u vunë në ndjekje autoritetet serbe që më pas e ekzekutuan dhe publikuan fotot e rënda në rrjetet sociale. Versus.al







