
Tiranë- Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me aksionin e djeshëm të zhvilluar në rreth 30 qendra estetike në Tiranë ku u zbuluan mallra kontrabandë botoxi të cilat u injektoheshin klientëve.
Në pranga kanë rënë 3 administratorë të aktivitetit kriminal, konkretisht Mildon Kumaraku administrator i magazinës që fuste mallrat kontrabandë si dhe administratoret e qendrave estetike, Xhuliana Mahmuti dhe Deisa Shehaj të cilat nuk deklaronin të ardhurat e fituara nga injektimi i botoxit që ishte futur kontrabandë në vend.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhënë në kuadër të këtij operacioni, u kryen kontrolle në 30 subjekte private (klinika estetike). Nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, 5 administratorë të qendrave estetike janë vënë nën hetim dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim për përdorimin e mallrave kontrabandë në qendrat estetike të cilat i kishin në menaxhim. Versus.al







