
Policia e Tiranës ka zbardhur aksidentin fatal të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbi jetën një 74-vjeçare. Pas hetimeve, në pranga kanë përfunduar babë e bir, të dyshuar se jo vetëm u larguan nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë viktimës, por edhe tentuan të fshihnin provat.
Sipas Policisë, autor i dyshuar i aksidentit është Xh. M., 65 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se, rreth orës 04:10 të mëngjesit të 23 korrikut, duke drejtuar një automjet tip "Mercedes Benz", përplasi për vdekje shtetasen M. T., 74 vjeçe.
Në automjet ndodhej edhe djali i tij, B. M., 32 vjeç, i cili gjithashtu është arrestuar.
Nga veprimet hetimore rezulton se, pas aksidentit, të dy u larguan nga vendi i ngjarjes pa njoftuar Policinë dhe pa i ofruar ndihmë të moshuarës.
Hetimet zbuluan se më pas 32-vjeçari fshehu automjetin e përdorur në aksident dhe riparoi dëmtimet e shkaktuara nga përplasja, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Pas identifikimit të autorit të dyshuar, Policia lokalizoi dhe sekuestroi automjetin, ndërsa të dy të arrestuarit do të përballen me akuzat për largim nga vendi i aksidentit, mosdhënie ndihme dhe veprime që synojnë fshehjen e provave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore./Versus.al

