
Katër persona, të arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, pritet të dalin të hënën para gjykatës për caktim mase sigurie. Hetimet e deritanishme zbulojnë detaje të frikshme mbi mënyrën se si u orkestrua krimi.
Njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati, dyshohet se është paguar 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte viktima, më 27 dhjetor – vetëm dy ditë para shpërthimit të telekomanduar. Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij, ndërsa hetuesit ende nuk e dinë nëse i ishin premtuar para të tjera.
Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se Bushati është tradhtuar nga kamerat e sigurisë. Ai është filmuar duke kaluar në zonë dhe duke ndërruar rrobat pasi vendosi lëndën plasëse. 27-vjeçari shfaqet i veshur me kominoshe mbi rrobat e zakonshme dhe pasi largohet nga vendi i ngjarjes, heq kominoshet dhe i hedh pranë lumit. Të gjitha skenat janë regjistruar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, ndërsa rrobat janë sekuestruar nga hetuesit.
Hetimet zbulojnë se në lagjen “Manush Alimani” ndodheshin edhe dy të arrestuarit e tjerë, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj, ndërsa dyshohet se shpërthimi i telekomanduar është shkaktuar nga Ergys Ibrahimi, sapo viktima ngjitej për në banesë.
Fillimisht ngjarja u perceptua si aksident elektrik për shkak të një defekti në rrjet, por OSHEE e hodhi poshtë këtë hipotezë. Pas shpërthimit, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën nën përgjim ambiental, ndërsa ata vetë komunikonin mes tyre, pa e ditur se po ndiqeshin.
Të arrestuarit pritet të përballen të hënën në gjykatë për një listë të gjatë veprash penale, përfshirë:
- Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim
- Shkatërrimi i pronës me eksploziv
- Armëmbajtje pa leje
- Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim
- Prishja e qetësisë publike
Hetuesit theksojnë se të arrestuarit nuk kanë konflikte të mëparshme me viktimën, dhe ende nuk është zbuluar identiteti i porositësit të vërtetë të vrasjes apo motivi që qëndron pas këtij sulmi të qëllimshëm.

