
Ndërsa ish shefi i Operacionales Oltion Bistri, të cilit i janë sekuestruar 36 prona, është ende në qeli në pritje të përfundimit të hetimeve ndaj tij, palët kontraktuale me të kanë nisur kalvalin e proceseve për të marrë disa nga pronat e sekuestruara. Çeshtja e 5 apartamenteve të sekuestruara për llogari të hetimit ndaj Bistri, kanë përfunduar në Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me palë kërkuese “Arlis constrution”.
Këtë të martë seanca në GJKKO u shty këtë për më 1 tetor, pas kërkesës së përfaqësuesve të kompanisë “Arlis Ndërtim” për tu njohur me aktet, ndërkohë që pretenduan se sekuestrot e SPAK janë vënë gabimisht dhe se duhet të hiqen.
Kompania e ndërtimit kërkon rimarrjen e pronave sepse sipas saj kontrata e blerjes me Bistrin ishte prishur përpara se ai të arrestohet. “Arlis” pretendon se Bistri kishte porositur 5 apartamente në ndërtim, duke bërë edhe pagesën për to, por më pas kërkoi prishjen e kontratës.
SPAK mësohet se ra në gjurmët e pronave me vlerë rreth 3.1 milion euro të Oltion Bistrit gjatë verifikimeve të pasurisë kur po hetonte ish-oficerin e lartë të policisë së Shtetit. Pronat që u vunë asaj kohë nën sekuestro ishin 10 apartamente, 22 dyqane, 1 vile me sipërfaqe trualli 200m2, një garazh dhe një makinë tip Range Rover viti 2012.
Emri i Oltion Bistrit del disa herë në përgjimet e dosjes “Metamorfoza”, si lidhje e investitorit Pëllumb Gjoka të cilin e informonte për operacionet policore kundër lojërave të fatit.

Përveç hetimit për lidhje me grupin kriminal, SPAK bëri ndaj ish-drejtuesit të lartë edhe hetim pasuror nga ku zbuloi se ai kishte në emrin e tij ose të familjarëve rreth 3,1 milion euro pasuri. SPAK dyshon se në momentin që Bistri u sinjalizua se ishte nën hetim, ish-shefi i Operacionales nisi të kthente rezervimet e pronave që kishte bërë. Sipas hetimeve, Bistri arriti të revokonte gjysmën e kontratave, por i mbeti pjesa. Një detaj tjetër që po vlerësohet nga grupi hetimor lidhet dhe me një epidos të ndodhur pas arrestimit të Bistrit, kur në paraburgimin e Durrësit mbërrin e shoqja bashkë me noteren të cilës i jep prokurë për të kryer veprime në emër të tij. Në të njëjtën kohë, SPAK nxitoi të kryente verifikimet përkatëse që e çuan drejt vendosjes së sekuestros preventive mbi këto pasuri. Kërkesa e prokurorisë për sekuestron u miratua në Shkallën e Parë dhe të Dytë të gjykatave anti-korrupsion.







