Situata në burgjet e vendit mbetet problematike përsa i takon monitorimit të të paraburgosurve apo të dënuarve me profil të rrezikshëm. Pak ditë më parë, u mësua se në burgun e Drenovës, i dënuari me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu kishte telefon me anë të të cilit drejtonte aktivitetin kriminal.
Ndërsa më herët pas vrasjes së një të dënuari në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, njëri prej ish-drejtorëve kishte paralajmëruar se ky burg ishte shndërruar në hotel dhe se prej kohësh nuk funksiononte sistemi i monitorimit.
Kur të gjithë bëjnë me faj policinë e burgjeve për këtë situatë, duket se problemi është më i thellë se aq. Një efektiv i burgut të sigurisë së lartë në Fier, foli në kushte anonimiteti për Versus.al ku denoncoi kushtet e papërshtatshme në të cilat janë të detyruar të punojnë në këtë institucion dhe për luksin e të burgosurve “VIP”.
Efektivi rrëfen se përveç rrezikut në të cilit ndodhen për shkak të punës në një ambient ku janë të dënuar dhe të burgosur disa prej personazheve “VIP” të botës së krimit si Aldo Bare, Pëllum Gjoka e Oltion Bistri, polici flet edhe për ekspozimin e shëndetit për shkak se çdo ditë futen në skanerin shumë të dëmshëm për shëndetin dhe në fund nuk e marrin pagesën prej 50 mijë lekësh të vjetra siç e parashikon ligji.
“Përshëndetje! Jam një punonjës i burgut të sigurisë së lartë në Fier. Nuk mund të identifikohem se po mbajmë kalamajt me bukë. Prej vitesh, policia e burgjeve, e cila vendoset çdo ditë në rrezik me të paraburgosur, të burgosur dhe të dënuar përjetë, që s’është nevoja ti themi emrat, sepse ju si gazetarë i dini vetë kush ndodhet në Fier, përveç kësaj që është detyrë dhe risk i yni që e kemi marrë përsipër, jemi të ekspozuar, qoftë fizikisht, qoftë sa i takon trajtimit që parashikon ligji. Futemi çdo ditë në skaner, që është tepër i rrezikshëm për shëndetin, dhe ligji e ka parashikuar që të marrim një shumë prej 50 mijë lekësh të vjetra në muaj. Nuk e marrim”- shprehet efektivi për Versus.al.
E teksa rrëfen peripecitë që ai dhe kolegët e tij kalojnë çdo ditë, punonjësi bën me dije se çdo ditë janë të presionuar nga të fortët e burgut për të cilët thotë se kanë lidhje me drejtues të institucionit e deri në nivelet më të larta të shtetit.
Ajo çfarë habit më shumë në denoncimin e bërë është se polici shprehet se të burgosurit marrin trajtime luksi me pije alkoolike si verë, për të ngrënë mish keci dhe madje edhe kondicioner, duke e bërë jetesën madje edhe më mirë sesa vetë policët në shtëpitë e tyre.
“Nuk marrim dietat, si ushqime dhe kostot e transportit. Ushqimin e marrim me vete nga shpia në verë e në dimër, kemi vështirësi në ushtrimin e profesionit, përballemi çdo ditë me presionin e të burgosurit. Janë njerëz me suporte nga drejtues të institucionit deri në nivelet më të larta të shtetit. Për dinjitet profesional as që bëhet fjalë, pasi duhet të bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh. Kushtet që jetojnë sidomos të burgosurit vip, si gjejmë as në shtëpitë tona. Teksa ata jetojnë me kondicioner, ju vjen vera e keci, uji ynë është ngrohur, e ushqimi që marrim nga shpia nis e kutërbon erë. Ngrijeni ju lutem këtë shqetësim, jo se kemi ndonjë shpresë, por të paktën qytetetarët ta marrin vesh cila është jetesa jonë, një burg që e vetmja liri që kemi, është rruga nga shtëpia në burg dhe nga burgu në shtëpi”- përfundon efektivi në rrëfimin e tij.
Rrëfimi i policit me nota “dorëzimi” sa i takon shpresës se diçka mund të ndryshojë, duhet të jetë një këmbanë alarmi për institucionet e posaçme për të nisur një hetim të thellë sa i takon jetës luksoze që bëjnë nëpër burgje “të fortët” e krimit.
Në burgun e Fierit, janë të arrestuar apo vuajnë dënimin disa prej personazheve më të përfolur të viteve të fundit, mes tyre Dritan Dajti i dënuar përjetë për vrasjen e 4 policëve, Aldo Bare ish-kreu i bandës famëkeqe të Lushnjës-i dënuar me burgim të përjetshëm, biznesmeni Pëllumb Gjoka-biznesmeni i përfshirë te ‘Metamorfoza’ në vrasje e ngjarje të tjera kriminale, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri i cili po ashtu në dosjen “Metamorfoza” shfaqet si informator i grupeve kriminale. Në fund mbetet edhe ish-deputeti Ervin Salianji i cili së shpejti përfundon dënimin e tij, por më 11 maj teksa votonte nga burgu, shumë persona u suprizuan me pamjen e tij më të kuruar. Versus.al







